Në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Kuçovës, Sindikata e Sektorit Hidrokarbur organizoi një trajnim një ditor me gratë dhe vajzat që punojnë në sektorin e naftës. Ky aktivitet kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e shëndetit mendor në vendin e punës dhe forcimin e rolit të grave brenda strukturave sindikale dhe shoqërisë.
Të pranishmet patën mundësinë të bashkëbisedojnë me kryetarin e Sindikatës, z. Dritan Shahu, mbi problematikat që hasin çdo ditë në vendin e punës, si dhe nevojën për organizim kolektiv dhe përfshirjen aktive të Sindikatës SSH në dialogun social për zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Trajnimi u udhëhoq nga znj. Laureta Roshi, eksperte për të Drejtat e Njeriut dhe Shëndetin Mendor, e cila u fokusua në rritjen e aftësive për menaxhimin e stresit ditor dhe rëndësinë e një mjedisi të shëndetshëm dhe gjithëpërfshirës në vendin e punës. Gjithashtu, u trajtuan çështje që lidhen me sfidat e grave në industri, kushtet e punës dhe të drejtën për barazi dhe trajtim dinjitoz.
Ky aktivitet përforcon angazhimin e Sindikatës për të mbështetur punonjëset naftëtare dhe për të ndërtuar vende pune më të sigurta, të barabarta dhe të drejta për të gjithë.


