Sot zhvilluam një takim në zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Punës në Tiranë me drejtuesit e këtij institucioni, ku diskutuam gjerësisht mbi problematikat dhe shqetësimet e ngritura nga ana jonë gjatë periudhës së grevës, si dhe mbi çështje të tjera të konstatuara në terren.
Në takim u trajtuan çështje që lidhen me pagat e ulëta dhe diferencat e tyre, mungesën e promovimeve, statusin e naftëtarit, trajtimin e nënkontraktorëve, problemet me raportet dhe lejet, orët shtesë, si edhe intimidimin dhe presionin ndaj punonjësve. U theksuan gjithashtu kushtet e punës dhe çdo aspekt tjetër që ndikon drejtpërdrejt ose tërthorazi tek punonjësit.
Kemi kërkuar trajtim të menjëhershëm dhe serioz të të gjitha çështjeve të ngritura, me prioritet që punonjësit të trajtohen me dinjitet dhe të paguhen në mënyrë të drejtë e dinjitoze, sipas standardeve të industrisë ku punojnë.
Nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Punës u theksua se të gjitha shqetësimet dhe problemet e ngritura do të ndiqen me prioritet, në mbështetje të përcaktimeve ligjore dhe në funksion të garantimit të të drejtave të punonjësve.
Ne mbetemi të vendosur të përdorim çdo rrugë ligjore për të siguruar drejtësi dhe meritokraci për çdo punonjës.
NJË THIRRJE PËR TË GJITHË
Nesër, më datë 5 nëntor, ora 12:15, të gjithë punonjësit, qytetarët, dhe çdo zë solidariteti ftohen të jenë përpara zyrave të Bankers në Fier.
Le ta ngremë së bashku zërin për dinjitetin e punonjësve, për të drejtat e mohuara dhe për një trajtim të drejtë për çdo naftëtar!
Bashkë do të fitojmë, kjo është një çështje që prek çdo punonjës ndaj të solidarizohemi të gjithë në këtë kauzë.
