Sindikata e Sektorit Hidrokarbur

Publikime

Image

Sot shënohet dita e 7-të e grevës së urisë dhe grevës së përgjithshme për punonjësit e shoqërisë Bankers Petroleum Albania, situata në vendburimin po përkeqësohet nga dita në ditë dhe rrezikon të kalojë në kolaps të plotë operacional.
Gjendja shëndetësore e punonjësve grevistë është e rënduar: tre prej tyre kanë marrë trajtim mjekësor me injeksione, ndërsa një punonjës është dërguar në spital pas humbjes së ndjenjave dhe lëndimit fizik nga shembja në tokë, ku ka pësuar frakturë në krah.
Në rrezik ndodhet edhe shëndeti i punonjësve që, nën presion dhe ngarkesë të jashtëzakonshme, vijojnë operacionet në terren, përfshirë këtu edhe nënkontraktorët e kompanisë, të cilët po përballen me volum pune të papërballueshëm dhe kushte të pasigurta.
Në këtë situatë kritike, i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, veçanërisht Ministrisë së Energjisë dhe Kryeministrisë, të ndërhyjnë menjëherë për ndërmjetësim dhe zgjidhje të situatës. Çdo vonesë e mëtejshme mund të çojë në pasoja të pariparueshme si për vendburimin, ashtu edhe për shëndetin dhe jetën e punonjësve.
Kjo papërgjegjshmëri e kompanisë nuk mund të kthehet në barrë për punonjësit dhe për vendburimin. Kërkesat tona janë të qarta dhe të drejta: trajtim me dinjitet për naftëtarët, paga të drejta dhe jo diskriminuese, në përputhje me rrezikshmërinë e punës.
Sot në industrinë e naftës ekziston një pabarazi e thellë pagash mes punonjësve me të njëjtin profil, si dhe një hendek i papranueshëm midis drejtuesve të lartë dhe punonjësve të fushës. Kërkojmë drejtësi, meritokraci dhe barazi në trajtim, jo nënshtrim dhe padrejtësi.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve, të sensibilizohen dhe të mbështesin kauzën tonë të drejtë.
Naftëtarët kërkojnë vetëm atë që u takon me meritë: dinjitetin dhe të drejtën për një jetesë të ndershme.
SINDIKATA E SEKTORIT HIDROKARBUR

Leave A Comment