Në vijim të deklaratës së bërë pak më parë nga Shoqëria Bankers, e cila po përpiqet të manipulojë punonjësit dhe opinionin publik, sqarojmë se:
Kërkesa jonë NUK ka qenë rritja e pagave me 9% për disa individë dhe nuk ka ekzistuar asnjë listë paraprake personash të përcaktuar nga Sindikata.
Ky është një manipulim i qëllimshëm për të përçarë punonjësit.
Të vërtetat mund të konfirmohen nga 5 përfaqësuesit tanë që kanë qenë në takime, si dhe nga takimet zyrtare në zyrën e pajtimit dhe ndërmjetësimit.
Kërkesa jonë e vetme dhe zyrtare (bazuar në vendimin e Këshillit Sindikal) ka qenë:
Rritja e fondit të përgjithshëm të pagave me 9%,
Shpërndarja e kësaj shtese për pagat e ulëta, nëpërmjet një komisioni me përfaqësues edhe nga Sindikata, për transparencë.
1% e këtij fondi të përdoret për krijimin e fondit sindikal.
Qëllimi ynë është i qartë:
Të ulet diferenca ekstreme mes pagave të ulëta dhe atyre të larta, dhe asnjë punonjës të mos paguhet më pak se 1000€ neto pagë bazë.
Nëse kompania nuk do të pranonte këtë marrëveshje pa shkuar në grevë, atëherë vendimi ynë është: Do të hyjmë në GREVË për rritjen e fondit të përgjithshëm të pagave me 18%, e cila do të shpërndahet përsëri për punonjësit me paga të ulëta.
Shoqëria Bankers ofroi vetëm 4200 lekë/muaj shtesë për dietën ushqimore, gjë që u refuzua nga Sindikata, pasi kjo nuk adreson problemin real të pabarazisë së pagave.
Ne nuk kërkojmë rritje për ata që marrin mijëra euro, por për ata që mbajnë mbi shpinë punën më të rëndë dhe paguhen më pak.
Bazuar në vendimin e Këshillit Sindikal, nesër fillon Greva
Ora 07:00 – Marinëz, përballë zyrave të Shoqërisë Bankers.
Kauza jonë është e drejtë. Ne do t’i qëndrojmë deri në fund.
