Sindikata e Sektorit Hidrokarbur

Publikime

Image

Para 17 ditësh, 10 naftëtarë të Shoqërisë “Bankers Petroleum”, anëtarë të Këshillit Sindikal të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, vendosën të hyjnë në grevë urie, ndërsa pjesa tjetër e punonjësve bojkotuan punën në zbatim të vendimit të marrë nga Sindikata për grevë.
Gjatë kësaj periudhe, 3 prej grevistëve janë detyruar të marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Fierit për shkak të përkeqësimit të shëndetit, ndërsa 7 të tjerë kanë marrë injeksione nga ambulanca për të përballuar efektet fizike të grevës. Njëri prej grevistëve, pas humbjes së ndjenjave, u rrëzua dhe theu krahun, duke u trajtuar në spital.
Këto ditë naftëtarët janë përballur me stres, ankth, pasiguri dhe presione të shumta për t’u kthyer në punë. Kompania, nëpërmjet nënkontraktorëve, ka ndërtuar skema shfrytëzuese që godasin si punonjësit e nënkontraktorëve, ashtu edhe ata të Bankers, përmes pagave të ulëta, kontratave të përkohshme dhe presionit të vazhdueshëm për rinovim.
Punonjësit punojnë në kushte të vështira, në kontakt të vazhdueshëm me avujt hidrokarbur dhe kimikate të ndryshme, në një punë që nuk ndalet asnjë ditë të vitit, 24 orë në 24. Ndërkohë që drejtuesit marrin paga marramendëse, punonjësit janë mbajtur me paga minimale që vështirë i mbulojnë nevojat bazike mujore.
Sindikata ka kërkuar:
• Rritjen e fondit të pagave me 18%, duke shpërndarë rritjen për punonjësit e fushës dhe ata me paga të ulëta. (Kjo shumë në total për 400 punonjës shqiptar, nuk e kalon vlerën e pagës së një punonjësi me kombësi Kineze të marrë gjatë një viti, bazuar kjo në përgjimet e prokurorisë të dala në media).
• Zbatimin e ligjit për statusin e naftëtarit dhe përshtatjen e profesioneve sipas ligjit për statusin e naftëtarit.
• Promovimin sipas meritokracisë dhe jo preferencave personale.
• Shpërndarjen e drejtë të bonuseve, duke shmangur diferencat mes drejtuesve dhe punonjësve.
• Rritjen e trajtimit ushqimor nga 9000lekë në 13200lekë në muaj
Ajo që kemi marrë nga kompania këto ditë, ka qenë papërgjegjshmëri, heshtje, irnoi dhe intimidim, duke i lënë punonjësit në shesh për ditë me radhë. Ndryshe nga sa shprehet publikisht për ta.
Gjendur në këtë situatë, në mbledhjen e mbrëmjes së sotme, u vendos që për të mos rrezikuar më tej shëndetin e grevistëve, greva e urisë të mbyllet sot.
Ndërkohë, greva e punonjësve do të vazhdojë të jetë e hapur, dhe tubimi i radhës do të zhvillohet të mërkurën, më 05.11.2025, ora 12:15, përpara zyrave të Bankers në Fier.
Tubime të tjera do të pasojnë sipas datave që do të përcaktojë Sindikata, ku do të bëhen edhe denoncime publike mbi gjendjen në vendburimin Marinëz.
Gjithashtu sot u zhvillua një takim me Ministren e Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, ku u ngritën të gjitha shqetësimet e punonjësve (përfshi këtu edhe burokracitë e institucioneve për të reaguar në lidhje me shqetësimet tona) dhe u kërkua zgjidhje e menjëhershme e situatës.
Znj. Ibrahimaj u zotua se Ministria do të trajtojë me prioritet të gjitha çështjet e ngritura dhe do të luajë rolin e ndërmjetësuesit për gjetjen e një marrëveshjeje midis palëve.
Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë për drejtësi, dinjitet dhe meritokraci.
Ne jemi me të vërtetën dhe e vërteta do të triumfojë.
Thirrje për pjesëmarrje
Të mërkurën, më datë 5 nëntor, ora 12:15, të gjithë punonjësit, qytetarët, dhe çdo zë solidariteti ftohen të jenë përpara zyrave të Bankers në Fier.
Le ta ngremë së bashku zërin për dinjitetin e punonjësve, për të drejtat e mohuara dhe për një trajtim të drejtë për çdo naftëtar!
Bashkë do të fitojmë

Leave A Comment